Op/Ed

Kurti VS policia e Kosovës

Historia e qasjës së Albin Kurtit ndaj policisë së Republikës nuk është gjithaq dashamirëse

Halil Matoshi

Sëpari, në protestat e dhunshme më 2015 dhe 2016, të inspiruara nga Lëvizja Vetëvendosje janë lëndu një dyzinë policësh. 

SëdytI, Albin Kurti në tetor 2015 pati ngritë kallëzim penal kundër policisë së Kosovës dhe sëtreti, gjatë vitit 2019, kritikoi dhe dha votë kundër Ligjit të pagave, duke ndikuar tërthortë në pezullimin e tij, në anën tjetër vajton policët, të cilët, sipas tij, nuk paskan mbështetje nga Qeveria!?

Në Qeverinë Haradinaj, policia nuk kanë prek kulmin e mirëqenies, por as nuk kanë qenë jetimë. Sëpaku atyre askush nuk ua ka pikasur fytyrat, për t’i mbajtur mend, që kur të vie dita, të hakmerret ndaj tyre.

Mandatari për krijimin e Qeverisë, Albin Kurti, qau, sëbashku me shumicën e kosovarëve, për policin e vrarë në detyrë, Sami Thaçi dhe kolegun e tij të plagosur rëndë, Artur Mrasori, po Kurti kish harruar se ishte ngritë kundër Ligjit të pagave, sipas të cilit ata dy dhe të gjithë policët kosovarë që nga dhjetori 2019 duhej të merrnin pagën e tyre të dinjitetshme!? 

Kurti pati deklaru se duhet bërë Ligj i ri, për t’i menjanuar pabarazitë!?

Dhe sot, ky zotëri i nderuar, vazhdon të flasë e të sillet si opozitë, edhe pse sovrani i ka dhënë fuqi politike ta ndërtojë dhe drejtojë ekzekutivin e vendit!?

Ashiqare po ka vështirësi (vet i ka fabriku armiqt e tij!?) për ta implementuar rezultatin zgjedhor dhe në këtë sens ende i jep zërit nga megafoni opozitar!

Pa përvojë në administrim, nuk po e gjenë vetën në pozitën e zbatuesit të politikave, qe do të duhej të ishte puna e tij e re, që 100 ditë, dhe i pamësuar të ndërtojë, e projekton një të ardhme fiktive, kur Kosova do të ketë “policë trima” dhe një “Qeveri ndryshe”!?

Incidenti në Zhur, lufta e guximshme kundër krimit dhe veprimet e shpejta të Kryeministrit në detyrë, Haradinaj ishin siperane krahasuar me “vajtimin” dhe lamentin e mandatarit në Facebook. 

Reagimi “opozitar” ndaj vrasjës së policit në Zhur, dëshmoi sa të paqëndrueshëm janë Albini dhe ndjekësit e tij, po edhe një pjesë e medias dembele, që sot u bie ndërmend për policët mbi të cilët dje hidhnin gurë e zemërim.  Në funksion të fushatës elektorale anti-estabilishment (e cila është dashur të mbyllej dhjetë ditë para gjashtë tetorit 2019) me britma e presion e “pezullun” Ligjin e pagave, përmes Avokatit të popullit që ankimoi në Kushtetuese, sipas të cilit Kolonelët policorë do të paguheshin 1,195 euro, kurse kadetët 239 euro, që i bie se mesatarja e pagës së policit do të ishte 600 euro, plus orët shtesë dhe benifitet tjera. 

Kur jemi te orët shtesë, policëve kosovarë, shteti u kishte mbetur borxh për shumë kohë dhe me marrjen e mandatit Ramush Haradinaj, atyre u janë paguar 2.6 milionë euro për këtë destinim.

Policët e dijnë mirë se si i ka trajtuarLëvizja Vetëvendosje ata.

E dijnë po ashtu se opozita e ndihmuar nga Avokati i Popullit dhe disa eksponentë të shoqnisë civile, e penguen zbatimin e Ligjit për paga, sipas të cilit, tashmë Heroi i Kosovës Sami Thaçi dhe Artur Mrasori me kolegët tjerë të tyne, do t’i gëzoheshin pagës me rritje që në dhjetor 2019, në mënyrë retroaktive, që nga dita kur Ligji është botuar në Gazetën Zyrtare!?

Natyrisht se ligj perfekt, të shkruar nga njeriu në tokë, nuk mund të ketë, pos nëse merret ndonjë referencë e Ligjeve revolucionare, që i vulos akëcili lider suprem e i pagabueshëm!?

Sëkëndejmi është e ditur se në demokraci, legjislativi e ka mundësinë e amandamentimit dhe ndryshimit të ligjeve. 

Më i mirë është një ligj i dobët se anarkia!? Në këtë kontekst, Qeveria Haradinaj ka bërë më shumë për policinë (dhe tërë strukturën e sigurisë, FSK, AKI) për këto dy vjet se Qeveritë tjera për 18 vjet liri. 

Kurti dhe të tjerët duhet t’i pyesin policët për trajtimin që kanë pasur në Qeverinë Haradinaj dhe të pranojnë realitetin, në vend se të premtojnë jetë parajse në një “qeveri ndryshe”!?

Cezarit duhet dhënë çka është e tij, kurse Zotit ç’është e Zotit!

“Mosmirënjohja është esenca e poshtërsisë” – thoshte Immanuel Kant.

ideologjia e Albin Kurtit, burimin e vet politik e ka tek sindroma e Vitit Zero, që shkon prapsht deri tek mëkati fillestar!

Mekanizmat e sigurisë në vend, policia, AKI dhe FSK janë institucione kredibile të cilat Qeveria Haradinaj ua ka kthyër dinjitetin duke i bërë të matshme me ato të vendeve europiane!

Shfaq më shumë

Të tjera nga rubrika

Back to top button
Close
Close