Lajme

Nëntori i përgjakshëm i 2019-tës, tërmeti që në Shqipëri la 51 të vdekur

Tragjik. Kështu do të mbahet mend mëngjesi i 26 nëntorit për shqiptarët por edhe i tërë viti që po e lëmë pas.

51 të vdekur, qindra të lënduar dhe mijëra të tjerë të pastrehë ishte bilanci i lëkundjeve të njëpasnjëshme të tokës.

Gjithçka nisi në orën 03:50, të ditës së martë, kur tërmeti i shkallës 6.4 ballë e goditi fort Shqipërinë.

Mjaftuan vetëm pak sekonda që rrëfimet e tmerrit të nisin të shkruhen.

Vdekja dhe shpresa për mbijetesë u bënë ‘një’ në Thumanën dhe Durrësin që pothuajse u rrafshuan.

Frikë, panikë, lot dhe dhimbje – ishte krejt çfarë mund të lexoje në portretet e njerëzve që po jetonin një realitet të frikshëm.

Bilanci i viktimave ndryshonte pothuajse çdo minutë.

Në gërmadhat, ku dyshohej se mund të kishte shumë njerëz që ishin akoma gjallë, të parët në ndihmë shkuan ekipet e FSK-së, Policisë dhe zjarrfikësve nga Kosova.

Ata bashkë me ekipet shqiptare nisën menjëherë punën për të shpëtuar ata që ishin akoma gjallë nën gërmadhat e shtëpive dhe banesave që u ishin shembur mbi kokë.

Në ndërkohë, ekipe të tjera të kërkim-shpëtimit nga vendet e ndryshme, kryesisht ato fqinje, arritën në Thumanë dhe Durrës.

Misioni ishte i njëjtë. Ndryshonte vetëm flamuri në uniformat e tyre.

Mrekullitë dhe shuarja e jetës

Luftë me kohën. Poshtë gërmadhave mund të kishte akoma jetë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit punuan pothuajse për 72 orë pa ndërprerë nën gërmadha me shpresën se aty, mrekullisht, dikush frymon.

Dhe, mrekullitë ndodhin!

Momenti i parë që ngjalli shpresë ishte kur 17 vjeçari Ramë Lala u nxorr i gjallë nga rrënojat e shtëpisë së tij – pas 11 orësh rezistencë.

Por, në Thumanë dhe Durrës mrekullitë jetonin, paradoksalisht shumë bukur, me tragjedinë.

Ramë Lala u bë anëtari i vetëm i familjes Lala që mbeti gjallë. Tetë anëtarët e familjes së tij humbën jetën.

Një fund të tillë tragjik që i bashkonte e patën edhe familjet Cara (shtatë anëtarë), familja Greku (tre anëtarë) dhe familja Vata (dy anëtarë).

Tërmeti i 26 nëntorit shuajti përgjithmonë edhe familjen Reçi, ashtu siç la pafund dhimbje edhe për shumë familje të tjera shqiptare që humbën më të dashurit e tyre.

Por, asnjë lëkundje tërmeti nuk mund të jetë më e fortë se dashuria e nënës për fëmijën.

Diana Reçi kishte shpëtuar gjallë. Derisa po nxirrej nga rrënojat e shtëpisë së saj, ajo e kuptoi atë që s’do të donte të dëgjonte kurrë – e kishte humbur përgjithmonë vajzën e saj tetëvjeçare.

Diana, që me profesion ishte piktore, harroi dhimbjet nga gërmadhat e betonit që i kishin rënë mbi trup.

Ajo kishte dhimbje më të madhe se kaq. Për orë të tëra, qëndroi e përqafuar me të voglën e saj që nuk frymonte më.

“Më lini të vdes në krahët e vajzës”, ishte lutja e vetme që kishte për ata që i zgjasnin dorën e shpëtimit.

Lëndimet e rënda që kishte marrë duke e mbrojtur me trupin e saj të bijën bën që ajo të mos ia dilte.

Historitë e këtyre familjeve që u shuan përgjithmonë dhe portretet e atyre që humbën jetën do të mbeten shumë gjatë në memorien e shqiptarëve.

Shqiptarët u bënë NJË

Kufiri u ‘thye’.

U deshën vetëm pak orë që shumë kamionë me tonelata ndihma me ushqime, veshmbathje dhe gjithçka tjetër që ishte esenciale në këtë situatë të niseshin drejt Shqipërisë.

Të gjithë dhanë krejt çfarë patën.

Kjo bëri që edhe ndihmat e mbledhura të ishin shumë më shumë se sa që ishte nevoja e të gjithë atyre që kishin shpëtuar, por nuk kishin më një kulm mbi kokë.

Por,  një vend që kishte ‘bukë e krypë e zemër’ ata e kishin matanë kufirit.

Historia u përsërit. Njësoj – shtëpitë, zemrat dhe gjithçka kishin –  i kishin dhënë para njëzet vjetësh shqiptarët e Shqipërisë për ata të Kosovës.

Dhanë shumë ata që kishin pak

Përveç ndihmave me ushqime dhe veshmbathje, u mblodhën edhe shumë para.

Madje, shqiptarët – që kanë shumë – dhanë edhe shuma të mëdha parash që jeta në Thumanë dhe Durrës një ditë të ngjante me atë që ishte dikur.

Ata do të mbahen mend.

Por, jo sa ata që dhanë shumë, ndonëse kishin pak. Ata që dhanë më shumë se sa kishin.

Gjyljeta Devolli nga Peja përloti të gjithë kur në studion e Klan Kosoves tregoi se është e sëmurë nga kanceri dhe dëshiron t’i dhurojë 50 euro për të prekurit e tërmetit në Shqipëri.

Ajo dha 50 euro nga gjithsesj 75 euro që merr.

“Thashë që edhe nëse nuk kam për të ngrënë këtë muaj s’ka me pasë problem”, kisht thënë ajo plot buzëqeshje.

Pensionisti, që mes lotëve, dhuroi 10 euro nuk do të harrohet lehtë.

Ashtu sikur ai që e hoqi edhe pallton nga trupi i tij për t’ia dhuruar dikujt që një natë të ftohtë nëntori kishte më shumë nevojë për të.

28 nëntori më i trishtë për shqiptarët

Dita e Flamurit i gjeti shqiptarët të dërmuar nga goditjet e frikshme të natyrës. Por, të bashkuar – ashtu siç e njeh secila histori.

Pa festë. Pa këngë për heronjtë. Pa vallen e Rugovës e Tropojës.

Por, edhe këtë 28 nëntor flamuri kombëtar valoi lavdishëm.  Mbi gërmadhat si gjurmë të fatkeqësisë më të madhe që e ka goditur Shqipërinë dhe shqiptarët viteve të fundit.

Tags
Shfaq më shumë

Të tjera nga rubrika

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button
Close
Close