Op/Ed

Përgjegjësitë e Vetëvendosjes për vonesën e formimit të qeverisjes në Kosovë

Kosova ka që në 19 korrik 2019 me qeveri të dorëhequr dhe vetëm në muajin e katërt pas zgjedhjeve të 6 tetorit u arrit të formohej një qeverisje e re. Më në fund pas një zvarritje të tepruar u arrit një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së. Lëvizja Vetëvendosje  duke parë pakënaqësinë që ngjalli kjo vonesë në opinion publik  dhe dekurajimin e simpatizantëve të saj, u përpoq që ta eksternalizojë përgjegjësinë për këtë vonese duke ia mveshur me insinuata të ndryshme përgjegjësinë PDK-së, Presidentit apo LDK-së.

Këtë version të përrallës së sajuar nga Vetëvendosje e amplifikuan opinion-bërës të ndryshëm që e romantizuan këtë negociatë si të ishte një përpjekje e “së kaluarës për të penguar transformimin radikal” që gjasme sollën zgjedhjet e 6 tetorit. Janë të shumtë zërat e medias dhe shoqërisë civile që të vendosur në harmoni me insinuatat e Vetëvendosjes po përpiqen që t’ia heqin barrën e përgjegjësisë kësaj partia për t’ia transferuar me të padrejtë aktorëve të tjerë.

E vërteta është që për vonesën e bërjes së mazhorancës përgjegjësja e vetme ishte tek partia që ka fituar duke garuar e vetme dhe që e vetme kishte marrë mandatin për të krijuar një shumicë në parlament. Por le të analizohen një e nga një alibitë që u ndërtuan nga Vetëvendosja dhe satelitët e saj për të kamufluar e ripaketuar dështimin për të ndërtuar kompromis e për të formuar qeverinë e re.

Pikësëpari, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë mundësi logjike që t’ia vëri fajin Partisë Demokratike të Kosovës, sikurse po përpiqet, sepse kjo e fundit nuk i ka lënë asnjë shteg për ta pretenduar përzjerjen në negociatat e formimit të shumicës së re qeverisëse. Përkundrazi, PDK-ja është treguar super konstruktive madje ka ndërmarrë veprime që ia kanë bërë shumë më të lehtë punën Vetëvendosjes për të marrë në dorë qeverisjen.

Së pari, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli gjatë verës së vitit të kaluar e çoi vendin direkte në zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Nëse do të ishte e “obsesionuar me pushtetin” dhe e “gatshme për çdo mjet” për të ndenjur në pushtet, Veseli si mandatar, do ta kishte zëvendësuar AAK-në e Haradinajt me Partinë Socialdemokrate të Kosovës (PSD) të Shpend Ahmetit dhe do të kishte formuar një qeveri të re brenda legjislaturës së kaluar parlamentare sepse ne fund të fundit PSD kishte 13 deputetë, njësoj sa i kishte edhe AAK. Pra PDK me vetëdije nuk  krijoi një qeveri të arnuar për të vazhduar deri në 2021 por me e vullnet të mirë e ktheu legjitimitetin e qeverisjes tek qytetarët duke e lehtësuar rotacionin politik.

Së dyti, PDK ndërmorri një tjetër veprim që ia lehtësoi LVV-së marrjen e pushtetit, duke e pranuar humbjen e zgjedhjeve dhe daljen në opozitë vetëm dy tre orë pas përfundimit të procesit të votimit edhe pse PDK-ja siguroi pothuaj  22% të votave, kishte shumë parregullsi dhe diferenca me partitë e tjera ishte minimale (LVV 26.27%, LDK 24.55%) Nga ana tjetër në rrethana të ngjashme Vetëvendosja ka vepruar krejt ndryshe.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 me vetëm 13.6% të votave, VV jo vetëm qē nuk e pranoi verdiktin e popullit, por menjëherë u përpoq që ta bllokonte PDK-në në marrjen e mandatit qeverisës që fitoi si partia e parë me 30.38%. Madje u përfshi në një shkelje të kushtetutës për të zgjedhur Isa Mustafën si kryetar kuvendi. Kjo përpjekje e grupit të partive humbëse të quajtur VLAN e zhyti vendin në 6 muaj ngërç politik duke pranuar madje edhe koalicion me Listën Serbe për të arritur këtë qëllim dhe për të vendosur si kryeministër Ramush Haradinaj të AAK-së.

Përpos këtyre, një tjetër favor shtesë që PDK-ja ia ka bërë Vetëvendosjes për të mundësuar formimin e qeverisjes ka qënë ftesa e kryetarit Veseli për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm dhe për të shpërndarë me votë parlamentin e sapokrijuar nëse LVV-ja nuk e formonte dot mazhorancën. Kjo ftesë ka çuar ujë në mullirin e Vetëvendosjes e cila e vazhdimisht e ka përdorur mundësine e zgjedhjeve të reja të parakohshme si mjet presioni ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjatë gjithë kësaj kohe të negociatave me LDK-në, drejtuesit e LVV-së gjithëmonë kanë përmendur që nëse nuk bëhej marrëveshje, në zgjedhjet e ardhshme Vetëvendosja do merrte shumë më tepër vota se në 6 tetor. Madje edhe retorika e kësaj periudhe të bisedimeve kanë tingëlluar më shumë si fushatë para-elektorale për t’ë fajëzuar LDK-në për mosbërjen e qeverisë sesa si përpjekje e vërtetë për të ndërtuar një frymë mirëbesimi e bashkëpunimi me LDK-në.

Përpjekja për t’ia vënë fajin presidentit për një dështim potencial të marrëveshjes ishte një orvatje akoma më foshnjarake, sepse roli i presidentit në këtë proces ishte krejt periferik e formal. Biles Vetëvendosja ra në një pozicion shumë qesharak sepse fillimisht u ankuan qe presidenti e përcaktoi datën e konstituimit të Kuvendit në limitet e skadimit të afatit kushtetues prej 30 ditëve dhe jo më herët. Mirëpo mandej, e ndryshoi 180 shkallë qëndrimin dhe në pamundësi për të bërë marrëveshjen me LDK-në, përpiqej të fitonte kohë duke shmangur takimin me presidentin dhe zvarritur marrjen e mandatit qeveritar.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur shumë gojë  apo të drejtë legjitime që t’ia vëri fajin as LDK-së për ndonjë dështim potencial për dy arsye thelbësore. Së pari sepse formimi i qeverisë është kryekëput barrë e Vetëvendosjes si partia e parë, LDK-ja është parti humbëse, dhe përtej përpjekjeve të sforcuara për të shitur humbjen e saj të radhës në 2019 si sukses, kjo parti nuk ka asnjë fitore të vetme parlamentare prej vitit 2004.  Rrjedhimisht nuk mund të konsiderohet si përgjegjëse për përkthimin në qeverisje të votës së 6 tetorit.

Gabimi trashanik këtu qëndron në faktin që Vetëvendosja i ka djegur urat me partitë e tjera dhe e futi veten në qorrsokak duke u deklaruar se koalicionin qeverisës do e bëj vetëm me LDK-në. Pretendimi se vetëm me LDK-në, Vetëvendosja mund ta sjellë ndryshimin është tragjikomik sepse në këto dy dekada të lirisë e demokracisë në Kosovë, LDK-ja ka qenë pothuaj 16 vjet në pushtet (një vit më pak se PDK-ja) pra tërësisht bashkëpërgjegjëse për të gjitha të mirat e të këqiat e këtij vendi. Duhet shtuar këtu se është themeluar në 23 dhjetor të vitit 1989 duke qenë forca e parë politike e krijuar anembanë trojeve shqitptare gjë që përkthehet se përfaqëson më së miri të kaluarën e jo të renë sikurse po përpiqet ta shesin.

Në kushtet kur ka deklaruar që qeverinë do e bëj vetëm me LDK-në e asnjë tjetër,  LVV-ja nuk ka më të drejtë të ankohet që  LDK-ja i shtroi kërkesa të mëdha. Duke përjashtuar alternativat e tjera të mazhorancës qeverisëse, i ka dhënë statusin e monopolit në tregun politik,  i cili në mungesë të konkurrencës natyrshëm i çon çmimet ne stratosferë. PDK-ja nuk vlen si alternativë sepse e ka deklaruar shumë herë dhe pa asnjë ekuivok se do të qëndrojë në opozitë përderisa nuk futet në qeveri si humbëse.

Mirëpo nga ana tjetër LVV ka pasur në dorë si rrugëdalje koalicionin potencial me AAK-në e cila doli nga këto zgjedhje me 13 deputetë. 29 deputetët e Vetëvendosjes së bashku me 13 të AAK-së dhe 20 deputetët e pakicave bënin 62 deputetë që lehtësisht mund ta formonin shumicën e re në parlamentin kosovar prej 120 deputetëve. Po qe se do e mbante të hapur apo të mundshëm koalicionin edhe me AAK-në, pretendimet e LDK-së padyshim që do të ishin zvogëluar.

Kur flitet për fajin që i vihet LDK-së për mos-bërjen e qeverisë së re për shkak të kinse kushteve apo kërkesave të ekzagjeruara, duhet thënë se për hir të së vërtetës se as kjo alibi nuk pi ujë. Përvoja në demokracinë e re të Kosovës tregon që këto nuk janë pretendime abnormale apo të fryra, përkundrazi, janë relativisht modeste krahasuar me rrethana të ngjashme më përpara.

Si pasojë e sistemit zgjedhor dhe konjukturës institucionale të Kosovës që akomodon pakicat me pozita të rezervuara, sistemi partiak është goxha i fragmentuar dhe është pothuaj e pamundur që një parti e vetme të formojë shumicën 50+1%. Për ta ilustruar këtë argument mjafton të përmendim që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004, LDK mori 45.42% të votave ose 47 deputetë dhe postin e kryeministrit ia dha AAK-së (tre kryeministra rresht Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim çeku) e cila mori vetëm 8.39% apo 9 deputetë.

Kur bëhet fjalë për presidentin mjafton të kujtohet që në zgjedhjet e përgjithshme të vitit  2010 PDK-ja mori 32.11% të votave apo 34 deputetë dhe ia la presidentin Aleancës Kosova e Re (AKR) të Pacollit që kishte 11.04% të votave apo 12 deputetë. Nevoja për lëshim për hir të kompromisit ka qenë e pranishme pas çdo procesi zgjedhor, përfshi këtu zgjedhjet e parafundit të vitit 2017 kur për të formuar shumicën, koalicioni fitues PAN u detyrua që ti jepte AKR-së 4 ministri në këmbim të votës së dy deputetëve.

Me pak fjalë kërkesat e LDK-së për pozita janë më së normale krahasuar me legjislaturat pararendëse, duke patur parasysh se ka vetëm një deputet më pak se LVV.

Së fundmi, alibija tjetër që po gatuhet për të maskuar vonesën e Vetëvendosjes për të arritur kompromis qeverisës është pretendimi i rremë se LVV-ja nuk do të shkeli parimet. Pra po përgatitet opinioni politik me iluzionin se LVV nuk lëshoi pe ndaj LDK-së për arsye principiale e jo për shkak të oreksit për pushtet dhe dëshirës për të pasur sa më shumë karrige qeverisëse në dorë.

Në rastin e presidentit, LVV tashmë e shkeli këtë parim, ra dakord që ta japi mirëpo kërkoi që në këmbim të merrte prej LDK-së ministrinë e brendshme që përkthehet në hesap të thjeshtë karrigesh. Faktikisht edhe LDK-ja ra dakord që t’ia kalonte LVV-së postin e ministrit të brendshëm por vetëm në momentin kur zgjidhej presidenti. E gjitha kjo tregon se marrëveshja LVV-LDK dështoi në dhjetor vetëm sepse Vetëvendosja ka refuzuar që LDK-ja ta mbante ministrin e brendshëm për një vit e një muaj deri në zgjedhjen e presidentit në 2021.

Kur flitet për pseudo-parimet e pretenduara nga LVV nuk ka sesi të mos vihet në dukje hipokrizia morale apo paradoksi logjik, se si lideri i kësaj partie pranon të ulet me Listën Serbe (sipas tij të krijuar e komanduar nga Beogradi) dhe refuzon që të ulet me PDK-në, AAK-në apo Nismën që janë parti shqiptare me origjinën tek Ushtria çlirimtare e Kosovës.

Njësoj është e turpshme që partia e krijuar për të “vendosur vetë” nē luftë kundër sistemit neokolonialist ndërkombëtar si dhe në kundërshtim ndaj kompleksit të inferioritetit dhe servilizmit ndaj të huajve, ka kërkuar ndërmjetësim nga ambasadorët e Quint-it (pesë vendeve perëndimore) për të bërë presion ndaj LDK-së që të pranojë ujdinë.

E njëjta gjë ndodhi me ardhjen e përfaqësuesi të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell që po përpiqet të përdoret edhe si presion ndaj LDK-së për të bërë medoemos një marrëveshje qeverisje. Angazhimi i të huajve për të bërë një marrëveshje qeverisje nga partia që dikur rrokulliste makinat e UNMIK-ut dhe EULEX-it nuk është gjë tjetër përveçse një dorëzim i sovranitetit dhe kthimin në protektoratin ndërkombëtar të para shpalljes së pavarësisë. Pra në këto rrethana  nuk ka asnjë të drejtë morale nga ana e Vetëvendosjes për të thënë se po sillet në mënyrë parimore.

Lista me argumentet që demonstrojnë se përgjegjësia për vonesën në formimin e qeverisë qëndron vetëm tek Vetëvendosje mund të zgjatet edhe më tutje. Sot, një ditë para skadimit të afatit, u bë e mundur marrëveshja  mes LVV-së dhe LDK-së për të bërë një shumicë parlamentare bashkë. Mirëpo ajo që mund të thuhet me siguri se  janë të turpshme të gjitha këto përpjekje të Vetëvendosjes për të shmangur përgjegjësinë morale ndaj qytetarëve për vonesën e tepruar në formimin e qeverisë dhe për t’u shitur si viktimë në këtë proces.

Ajo që e bën akoma më të ulët është pretendimi i LVV se marrëveshja nuk po kryhet për çështje parimore, gjë që është falsitet i jashtëzakonshëm sepse marrëveshja për katër muaj ngeli peng vetëm tek karriget ndërsa për programin u morrën vesh brenda një dite edhe pse kanë orientim të kundër ideologjik (njëra parti radikale e majtë e tjetra parti e djathtë pjesë e Partive Popullore).

Megjithatë edhe nëse nesër formohet qeveria bashkë me LDK-në,  ka për të vazhduar shqetësimi se si ka për të qeverisur LVV në kushtet kur është kaq e paaftë për të arritur kompromis e konsensus si dhe për të bashkëpunuar apo negociuar me faktorët rivalë politik. Në sistemin tonë liberal-demokratik këto janë shkathtësi të doemosdoshme për të marrë vendime e për ta bërë shtetin funksional.

Tags
Shfaq më shumë

Të tjera nga rubrika

Back to top button
Close
Close