Op/Ed

Pse Tito e themeloi Universitetin e Prishtinës?

Në vitin 1979 Tito erdhi për herë të fundit në Kosovë, por tanimë ishte tepër i dërmuar nga pleqëria e thellë që të mund t’i ngrinte peshë zemrat e njerëzve për Jugosllavinë e përjetshme. Ai vdiq në vitin 1980 dhe bashkë me të edhe besimi në ideologjinë  dhe sistemin politik që kishte ngritur. Një vit më vonë në Universitetin e Prishtinës shpërthyen demonstratat e studentëve. Nacionalizmi shqiptar e kishte marrë në dorë armën e cila ishte krijuar për t’u përdorur kundër tij. Historia e mëtutjeshme dihet!

Blerim Latifi

Shpesh përmendet se në ditët kur në kreun e Jugosllavisë ishte bërë gati vendimi për themelimin e Universitetit të Prishtinës, një komunist serb, me prirje nacionaliste, kishte reaguar ndaj vendimit duke thënë se “shqiptarëve ua morëm pushkët, e po ua japim topat”. Nuk e di nëse kjo deklaratë është thënë vërtet kështu apo është vetëm sajesë e mëvonshme, por, sido që të jetë, ka një të vërtetë të madhe brenda saj: një popull të arsimuar e ke të vështirë ta mbash nën sundim! Gjithmonë sundimin e bëjnë më të lehtë injoranca, analfabetizmi dhe mjerimi i përgjithshëm social që lidhet me to. Kjo dihet që nga kohërat që nuk mbahen mend.

Universiteti i Prishtinës u themelua 50 vjet më parë, si rrjedhojë e ndryshimeve të rëndësishme që kishin ndodhur në strukturën e pushtetit të atëhershëm jugosllav dhe disa planeve të tij në kuadrin e luftës ideologjike të cilën Jugosllavia socialiste e zhvillonte me fqinjët e saj, në rradhë të parë me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë.

Pjesë thelbësore e këtyre ndryshimeve ishte rënia nga pushteti e Aleksandër Rankoviqit dhe gardës së tij, e cila për plot 21 vite i kishte mbajtur shqiptarët e Kosovës nën masat e një terrori sistematik, si rezultat i të cilit ishin rreth 17 mijë shqiptarë të vrarë, mbi 120 mijë të trajtuar nga hetuesia e UDB-së dhe mijëra e mijëra të tjerë të detyruar të largohen në Turqi, Shqipëri e vende të tjera.

Pak muaj pasi e kishte rrëzuar Rankoviqin nga pushteti, në mars të vitit 1967, Tito erdhi në Kosovë dhe në mitingun e madh që u organizua për të, ai tha se kemi bërë gabim që kemi folur për pakica e shumica kombëtare në Jugosllavi. Tash e tutje duhet të flasim për kombe dhe kombësi, u shpreh ai para turmës që e brohoriste pandërprerë emrin e tij. Ky termi “kombësi” ishte një shpikje jugosllave , po aq i zbrastë dhe kontradiktor, sa edhe termi “demokraci popullore” i shpikur nga Stalini, me qëllim që në vendet e Europës Lindore, të futura nën tutelën e tij, të ushqente propagandën se në regjimet e këtyre shteteve demokracia ishte më e avancuar se ajo në shtetet perëndimore.

Si mund të kuptohet ky shpërthim i përnjëhershëm i dashurisë së diktatorit jugosllav për shqiptarët e Kosovës, kur dihej se ai e kishte toleruar terrorin mbi 20 vjeçar mbi ta?

Sigurisht që është naive të mendohet se ai ishte penduar dhe tani po kërkonte të shlyente fajin, duke bërë veprime që do t’i hidhëronte serbët, të cilëve në korrikun e vitit 1945 ua kishte rikthyer Kosovën, pasi më parë e kishte larë në gjak.

Në ato vite në instancat më të larta të pushtetit jugosllav ishte pjekur mendimi se vetmja rrugë për të parandaluar ngritjen e nacionalizmit shqiptar në Kosovë, i cili mund të ushqehej nga Shqipëria e Enver Hoxhës, ishte që Kosova të zhvillohej shpejt në aspektin ekonomik e kulturor me qëllim që të bëhej superiore në raport me Shqipërinë. Mendohej se duke qenë më superior në aspektin ekonomik dhe arsimor, shqiptarët e Kosovës nuk do të ushqenin kurrfarë aspiratash për t’u bashkuar me ata të Shqipërisë. Atyre u duhej mundësuar që ta ndjenin superioritetin ndërkombëtar që Jugosllavia e kishte mbi Shqipërinë.  Në anën tjetër, duke i ngritur shqiptarët e Kosovës nga statusi i pakicës kombëtare, në statusin e kombësisë, krijoheshin kushtet politike dhe juridike për ndërtimin e një identiteti të tyre të dallueshëm nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë. Kështu hendeku mes tyre do të bëhej i plotë. I ashtuquajturi “identitet kosovar” e ka zanafillën pikërisht tek ky plan i sofistikuar i kreut komunist jugosllav. Në funksion të këtij plani u hapën shkolla, institute, fabrika, spitale dhe në vitin 1970 edhe Universiteti i Prishtinës. Përtej deklaratave publike dhe dokumenteve normative, qëllimi i fshehtë për të cilin u themelua ky Universitet ishte krijimi i shpejtë i një elite burokratike, intelektuale e kulturore, e cila, në thelb të saj, do të kishte ideologjinë jugosllave. Ky është ai që sociologët e quajnë “hidden curriculum”( program i fshehtë) i universiteteve. Por Tito dhe ideologët e mençur të tij mbase e kishin harruar një rregull që përsëritet vazhdimisht në histori: historia tallet me planet që bëjmë ne për ta kontrolluar rrjedhën e saj. Në fillim të viteve ’70, të shekullit të kaluar, Tito kishte përballë dy armiq të cilët nuk do të mund t’i përballonte. Në njërën anë, ishte biologjia e tij personale : ai i kishte kaluar të tetëdhjetat dhe shëndeti i rrënuar i tregonte se fundin e kishte afër. Në anën tjetër, ishte historia politike e cila po rrjedhte në kundërshtim me pritjet e ideologjisë socialiste. Pas vitit 1968 socializmi real po hynte në periudhën e diskreditimit në shkallë botërore. Në Perëndim po ringrihej fuqishëm neoliberalizmi, ndërsa në vendet e bllokut socialist tendencat e organizuara nacionaliste po rishfaqeshin fuqishëm pas një periudhe të gjatë shtypjeje. Këto tendenca kryesisht zhvilloheshin brenda auditoriumeve universitare dhe në klubet intelektuale e publicistike që vepronin rreth tyre. Natyrisht Universiteti i Prishtinës nuk do të bënte përjashtim prej këtij zhvillimi. I krijuar për t’i shërbyer pushtetit ideologjik jugosllav, ky universitet gradualisht, dhe në mënyrë të heshtur, u shndërrua në një forum të afirmimit të nacionalizmit shqiptar. Këtij afirmimi i ndihmonte shumë një rrethanë e re e krijuar në fundin e viteve ’70 në Shqipëri. Pasi ishte prishur edhe me aleatin e saj të fundit të rëndësishëm, Kinën, Shqipëria e Enver Hoxhës, në kushtet ndërkombëtare të diskreditimit të socializmit, kishte vetëm një rrugë përpara : rikthimin në vlerat dhe simbolet e nacionalizmit etnik shqiptar. Në vitin 1978, kremtimi i madh i 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ishte një nga shenjat e këtij rikthimi. Efektet në Kosovë ishin të shpejta: u krijuan shumë grupe ilegale që promovonin nacionalizmin enverist dhe krahas kësaj u përhap ai që do të mund ta quanim “kriptoenverizëm popullor”,  i cili nënkuptonte adhurimin e fshehtë të Shqipërisë socialiste dhe liderit të saj.

Në vitin 1979 Tito erdhi për herë të fundit në Kosovë, por tanimë ishte tepër i dërmuar nga pleqëria e thellë që të mund t’i ngrinte peshë zemrat e njerëzve për Jugosllavinë e përjetshme. Ai vdiq në vitin 1980 dhe bashkë me të edhe besimi në ideologjinë dhe sistemin politik që kishte ngritur. Një vit më vonë në Universitetin e Prishtinës shpërthyen demonstratat e studentëve. Nacionalizmi shqiptar e kishte marrë në dorë armën e cila ishte krijuar për t’u përdorur kundër tij. Historia e mëtutjeshme dihet!

Shfaq më shumë

Të tjera nga rubrika

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button
Close
Close