Art/Histori

Rexhep Hoti – Poezi kushtuar të pagjeturve

Kushtuar të pagjeturve në Krushë të Madhe dhe në gjithë Republikën e Kosovës.

I HUMBURI NË VENECIA
1.
Po!
Ndodhem në Bienalen e Venecias!
Sot këtu takohen artet nga e gjithë bota.
Kanë ardhur nëpër qiell, nëpër tokë, nëpër ujë!
Dhe unë ua kam sjellë, pa ngarkesën e groteskut mesdhetar,
Me thasë të ngarkuar, me shpirtra të frymëzuar paradoksesh,
Rrënjët e civilizimit të lashtë të atdheut tim;
Përcjellë me kulturën bujqësore të Krushës së Madhe!
Për ju, ziliqarë të krijimit,
Për ju shijues aventurash!
Për ju, cinikë kujdestarë të artit të së nesërmes!
Për ju, o të mërzitshmit e pafytyrë të Njerëzimit!

2.
Mos keni brengë, mos bëni tollovi!
Prisni në radhë, ju lutem!
Kam sjellë me vete mjaftë krijime.
Për mendjen e çdo njërit, për shijet, për muzat tuaja
Në Qytetin e të Dashuruarve përtej Kushtetutës së Njerëzimit,
Përtej marrëzisë së bukur
Qysh vetëm ai di të jetë;
Si guxon të jetojë,
Si dashurohet,
Si vdes vërtet qyteti i majave të civilizimit,
I mbrojtjes cinike të UNESCO-s;
Ndonëse fundosja po ndodhë përfundimisht
Nën kërcënimin e vazhdueshëm të pushtuesit të njelmët;
Shih, po vije ajo valë e padukshme,
Si mesazhi i zotave pellazgë në Malin Tomor,
Si thellësia e kaltërsisë së detit e mbarësuar me sekrete!

3.
Venecia më ngjan me një peshk të madh;
Me një ngrehinë jashtëtokësore!
Dhe në nderimin e Të Humburve të Kosovës,
Të Humburve të Vendlindjes,
Kam shpërndarë nëpër labirintet e Bienales,
Nëpër sheshe, nëpër skajet e qytetit gjithandej
Për vendas, miq, vizitorë,
Për të paftuar, veçmas,
Frytin e artit të fjalës,
Falas,
Qytetërimin e lashtë!
Prej krushianëve të mi
U kam sjellë kuptimin e Lirisë!
Të freskët,
Të sapo krijuar prej flijimit,
Ndërkohë që Europa Qendrore bënte sehir;
U kam sjellë kulturat bujqësore të njerëzve,
Të pa mërzitur prej tokës;
Prej zemrës,
U kam sjellë të dyja bashkë,
Për ju,
Të tëra për ju,
Ato krijime!

4.
Po!
Le të hanë të gjithë në sezonin 2017!
Nga Krusha e Kosovës në Venecia!
Artet, shtetet, kombet!
Njerëzit pa identitet natyrisht!
Le ta ndajnë me krenari bereqetin e tokës dardane;
Të arrirë në fushën e shëndetshme poshtë Pashtrikut,
Atë art të kulturës së prodhimit të Ilirisë!
Me ngjyrën e kafesë së pjekur braziliane;
Me rrjedhën e lumit me ujë të Bardhë,
Prej kohës së parë,
Kur lindi kjo botë, si thotë poeti;
Duke i rrokullisur gurët e alpeve shqiptare,
Duke i sjellë Dukagjinit ledhatime me erë të ngrohtë,
Stuhi tornadoje me shumë dallgë;
Duke i sjellë pjellshmërinë,
Jetë natyrale,
Me tryezën e lamës përplot!

5.
Po!
Kam ardhur që larg në sheshin e Arteve në Venecia!
Ia di kodin, filozofinë e komunikimit,
Huqet ia njoh këtij qyteti të ujët,
Ia njoh natyrën botërore të tregtisë!
Pabesitë e të dashuruarve këtu i njoh
Me ledhatime;
Ah, ato janë të kripura nëpër arsyetime;
Me vuajtje e pagjumësi të zakonshme,
Me grim të rrjedhur nëpër mollëza,
Në sa e sa shumë brenga vuajtje e vaje!
Dhe kur gjithçka duket sikur ka marrë fund;
Vetmia i ndan të gjitha takimet;
Me shule të rënda mbyllen portat!
Nata torturohet e lëçitur;
Çiftet shihen me njëri-tjetrin të ngrirë,
Vetëm me ecje të kundërta,
Të parë vetëm me sy prej shpine;
Teksa sfidohen themelet e qytetit
Tutje te rrënjët e thella nën ujë,
Për një çast mund ta ndalojnë larjen në det,
Shtëpitë pa rrugë të mirëfillta, pa kopshte;
Kalimet e ngatërruara me ura,
Sakaq shndërrohen në një shtrat lundrues,
Me nënshtrimin e ngarkuar përjetësisht
Mbi kurriz;
O Zot i madh!
I tërë qyteti këtu bën flirt!
Dhe ikën nëpër labirintet e urëzuara
Dhe penetron fshehtas,
Dhe derdhet,
Dhe mbytet pafundësisht!

6.
Po!
Jam në Qytetin e shpërthimit të zemrave!
Në takimet që komunikojnë panatyrshëm,
Nëpërmjet artit, ngjyrës së shpirtit!
Është e prekshme, duket që larg!
Venecia ka ardhur në këtë planet
Vetëm për një mision:
Tregtia të mos ndalojë kurrë!
Do të shterojnë ujërat!
Dashuria të mos vdes kurrë për faje!
Ajo e merr majanë e shpërthimit të lirë
Mbi çdo çmim,
Edhe kur ndëshkimet shpalosen të frikshme
Prej neneve nën shënim të Kushtetutës së Njerëzimit
Këtu është burimi i dashurisë mbi rregulla
Përtej ligjësisë universale;
Këtu mund të jetohet me vdekjen,
Kurrë pa prekjen veneciane!
Në këtë qytet të panatyrshëm
Edhe urrejtja dashuron,
Dhe zgjohet e hidhëruar
Dhe sërish e bartë me vete këtë flamë
Në çdo çast,
Si rrugëtimi i planetëve nëpër galaktikë,
Si lindja e njëhershme e diellit nëpër dherat e njerëzve,
Përditë dhe prapë përditë!

7.
Po!
Bienalja e Venecias më pret në takim!
Ajo përkulet për mua madhërisht,
Me sjellje aristokratike e ngre një çik fustanin përpjetë!
Natyrisht, unë kam blerë një kapele me kohë,
Vetëm për t’ia hequr,
Për t’u përkulur pranë saj me më shumë nderim,
Me një buzëqeshje të lehtë, idiote!
Ndërkohë diçka do të më këtë rrëshqitur nga trupi;
Ua, lëshoj një britmë me vete,
Klithja më vjen sepse s’kam më të holla;
Jam vishkull!
Për pak çaste mbetem i pagojë.
Sikur t’i them Venecias me frymë shekspiriane:
Ah, edhe ti dashura ime e pabesë!
Ishte kjo një kamerë e fshehur mes rrëmujës,
Atë fat nuk do ta kem!
Përshëndetja e zakonshme e qytetit,
Do t’i hapë portat për të hyrë në lojë;
Dhe jeta do të buzëqesh me ironi të trishtë:
Tungjatjeta ngjyra, popuj, kombe,
Tungjatjeta, o njerëz gjithfarë soj!

8.
Po!
Në qytetin e zemrave,
Nuk është vetëm arti e papritura madhështore e pritjes;
Bienalja nuk është fjala e fundit këtu!
Ajo është tryeza zyrtare e krijimit botëror!
Nga dremitja e gurtë e qytetit e kuptoj:
Hajdutët janë kavalierët e shërbimit
Pa pagesë në këtë qytet!
Ata i thyen xhamat e frikës së monotonisë!
Pa u ndier, pa i bërë copa-copa;
Asnjë spirrë gjëkundi nuk lënë,
Nëpër gurë, nëpër ujë.
Ah, në këtë vend nuk ka tokë!
Megjithatë nuk ka marrëzira prej xhepashëve
Edhe kur ngelesh pa kuletë në prapanicë,
Nëpër gjoks të ngelen vetëm të rrahurat e shpejta të zemrës!
E prej kresë nisin stuhitë, bubullimat
Kur ta kesh kuptuar më në fund hallin e radhës,
Ke mbetur i tëri trok!

9.
Po!
Në Venecia e mbajnë kuptimin e ngarkuar të jetës
Larg mërzisë mondane!
Punojnë pa u lodhur, fluturojnë lehtë si bleta
Dhe i varin me art, me përsosmëri
Zgjatjet,
Fërkimet, gishtat nëpër xhepa,
Si e varë një xhentëlmen kapelën pranë tryezës së tij
Dhe kur të jenë lodhur me gjahun
E plaçka të ketë marrë shtat në normën e koshit,
Diku në një qoshe të hapësirës së luhatshme të stacioneve,
Tragetet lidhen me litarë me plot elegancë,
Siç i lidhin plakat tona bagëtinë
Kur i sjellin rrogëtarët në mbrëmje te shtëpia;
Ngjasojnë ato pamje me ndjeshmëri të lëngshme,
Si të ishin hapësirat e vendpritjeve të anijeve kozmike
Për alienë të sapoardhur me valixhe në duar
Dhe pasi ta kenë rregulluar pazarin e turnit të parë,
E ngopin barkun me nxitim,
Me qepë, me speca, me domate!

10.
Po!
Takimet e artit në Bienalen Venecia 2017,
I përcjellë freskia e perimeve prej Krushës së Madhe!
Ndjehem krenar t’ju them sot të gjithëve nëpër vargje:
Ato që hani ju, si njerëz me kulturë,
Të shpërfillshëm, prostituta a hajdutë;
Ju që hani me nguti barbare, aristokratë të vjetër, tregtarë
Ju, që keni ardhur në këtë qytet të mbirë në ujë,
Me shumë mundime me viza në pasaportë;
Ah, je populli i vetëm autokton i Europës
I izoluar prej saj padrejtësisht!
Të dashur njerëz, popuj, raca;
Janë perime prej vendlindjes sime,
Specat, trangujt, qeptë e domatet,
Janë Made in Krusha e Madhe!
Në sezonin e Bienales Venecia 2017,
I keni të gjitha falas,
Kudo që do të jeni,
Në tragete, në ikje, në kolonë nëpër nënura a autostrada,
Diku qetë-qetë në familje
A duke puthur me afsh ndonjë kërthizë!

11.
Po!
Viti 2017 ka një veçanti në Bienalen e Venecias!
Mes përmes saj Bota parakalon
Me turma, me çifte, më të vetmuar e pa cicëron;
Me mendje të krijimeve ultra abstrakte;
Me kotësi e banalitete me shumicë;
Me pamje të rëndomta, thjesht;
Më shumë me punë të padjersë,
Me kopjime;
Dëgjohen prej pavijonit të Republikës së Kosovës,
Emrat dhe mbiemrat e njerëzve prej atdheut,
Prej vendlindjes,
Jehojnë nëpër pesë kontinente
Njerëzit e Humbur të Lirisë me mbiemra shqip:
Hot, Berishë, Shalë, Morinë…!

12.
Po!
Venecia 2017 e ka formësuar vetveten
Me një veçanti në këtë stinë!
Natyrisht, jam këtu me shkronjat e krushianëve të mi
Të humbur!
Me idenë e dhimbjes origjinale të humanizmit shqiptar!
I ka sjellë Të Humburit e Kosovës në Bienalen e Planetit
Të gjithë!
Artisti me idenë e vet gjeniale, Sislej Xhafa;
Një nga Një!
Gjersa janë bërë saktë:
1664 njerëz!
Në një Kabinë Ishull;
Pa derë,
Pa gjithësi;
Pa diell, yje,
Pa hënë mbi çatinë e sheshtë!
Të krijuar me pllakosje prej druri,
Të mbështjellë me najlon,
Me thellim të shpuar,
Pa të vërtetë,
Pa trishtim,
Pa jetë,
Pa mort,
Thjesht, e zbrazur,
E thatë!

13.
Po!
Bienalja sot ka takim me metaforën e identitetit!
Diskuton me shkronjat e alfabetit të humbur!
Ah, sa ngjan ajo Kabinë Ishull
Me një arkivol të zbrazur;
Të ngritur në këmbë!
Duket sikur është gati të bëjë gjithçka
Ajo formë me dërrasa;
Është gati të niset në çdo çast!
Të ecën,
Vetëm e vetëm për ta gjetur vetveten,
Kufomën, ekzekutimin, prerjen në fyt
A copat e mbetura nëpër rrugë të njerëzve
Me atdhe të dëbuar
Kur të masakruarit prej pushtuesit serb
Ishin shndërruar rrugëve të shkreta
Me bari të mbirë anash e në mes!
Në mish për krimba,
Në mish për qen!

14.
Po!
Bienalja e Venecias e kërkon për të gjithë
Vetveten nëpër krijime!
Veçmas Të Humburit
Janë e reja e saj në mijëvjeçarin e tretë!
Kabina Ishull nuk ndalon!
Për ta vendosur në vendin e vet
Atë grimë a çfarëdo që do të ketë mbetur!
Vetë humbjen a vetëm disa shkronja!
Në një hapësirë të zbrazur dy me një,
Me të shurdhërin telefon!
Mbi të cilën ballohet mbishkrimi
Duke e sfiduar Njerëzimin mbarë:
«Lost and Found»;
O Zot!
Të Falemi pa dallim të gjithë!
Për të humburit e Kosovës!
Për të humburit shqiptarë!
Për të humburit e vendlindjes sime,
Për të humburit e Botës mbarë!

15.
Po!
Jam këtu në pavijonin Kosovës në Venecia,
Me cilësim të posaçme këtë radhë:
I shkarkuar në detyrë!
E shfletoj bllokun e Të Humburve
Në kthinën e skajuar prej mediave dhe rrëmetit.
Matanë turma e mbledhur me jargë të epshuar!
Denoncuesit e atdheut janë në krye!
Sillem vërdallë me përthyerje femrash,
Si të ishin oficerë shërbimesh për spiunazhe
A të ngeshmit e llafeve skaj gardhit;
Me thashetheme i mbajnë të gjithë prapashtesat plus;
Si mbahet kryqi i kuq në një vend të dukshëm
Nën kujdesin e shtuar në një kohë lufte!

16.
Po!
Bienalja e Venecias s’ka kuptim
Pa ngjyra, pa gjithfarësoj!
Të pështirët, me tituj ambasadorë shoqërohen
Nëpër të gjitha grupet;
Ata i kanë operuar buzëqeshjet!
I kanë mbjellë si qimet e kresë!
I kanë ngulur me zor!
Shogën e papëlqyer e kanë mbështjellë!
Më pas vijnë ata që mbahen mospërfillës,
Patriotë me ojq-eistë!
Krekosja naive është emëruesi i tyre;
Hiqen si të ardhurit specialë
Dhe janë vërtet të rrezikshëm!
Prej lakmisë gjithçka e qesin në pazar!
Vetëm të penduarit që ndihen me faj
Përse kanë ardhur në këtë botë,
Janë sovran në vetvete,
Bien lehtë në sy,
Ata nuk përkojnë aspak me këtë kor!
E bukura për ta qëndron matanë stërnishtës!
Ata nuk ka kush t’i kujtojë!

17.
Po!
Jam këtu në nderim të Bienales gjithashtu!
I shoh si flasin me radhë honxho-bonxhët,
Të gjitha gjinitë pa dallim!
Vetëm artisti që e përfaqëson vendin e vogël Kosovë,
Mbase, i ngopur me trishtimin e turmës!
Me kuptimin e atyre çfarë llafosin!
E thotë vetëm një fjalë:
«Kujtimet janë përvojë»!
Asgjë më shumë.
Duket sikur zbrazësia e Kabinës Ishull,
Ishte e ngutshme në rrugëtimin e saj nëpër univers.
Nuk kishte kohë të ndalojë!
Ajo në vetvete ishte një krijim
I pa fjalë,
Me një togfjalësh në gojë!
«Lost and Found».

18.
Po!
Bienalja e Venecias kishte takime të rregullta me politikën.
Ajo e kishte lehtë me të!
Për gjithçka që nuk pëlqehej për t’u rrëfyer midis tyre
Rotacioni i demokracisë futej në botën e artit;
Çapitjet e mëtejshme përpunoheshin në mënyrë krijuese
Prej skenaristëve, regjisorëve me nam!
Qendra rrezaton prej fokusimeve të kamerave vazhdimisht!
Për varfanjakët e mjerë nga politika,
Gjithë kjo zallamahi, dëgjohej të thoshte dikush tutje?!
Përse thua ashtu, nuk kuptoj?!
Ata e mbajnë të gjallë krenarinë e Republikës sidoqoftë!
Pa çfarë se nuk dinë të shkruajnë as shqip?!
Do të mësohen një ditë!
Vjen prej një skaji ky dialog;
Me zëra të ndrojtur,
Më zë të imtë, të hollë!
Dukej se frika e urrejtja jetonin përbrenda atij ngjyrimi;
Hijet kanë frikë edhe në qytetin e ujit!

19.
Po!
Dua t’i përshëndes krushianët e mi në Bienalen e Venecias!
Ata që janë në paformësim të përjetësisë,
Me dheun e tokës së punuar,
Me njomësinë e fidanishteve të herra nëpër lehë,
Siç korrektohen shkronjat në fjali,
Siç lekturohen fjalitë,
Duke zhvendosur fjalë;
Jo duke mbajtur fjalim,
Jo duke i bashkërenditur titujt zyrtar!
E shfletoj edhe me tutje bllokun katror me shënime;
Të gjithë Të Humburit janë të mbyllur
Brenda fletëve prej letre!
Me heshtjen e shpirtit
I shoh me radhë,
Vetvetiu rri gatitu për nderim!
Dhe befas e ndjej se diçka e pa rëndomtë po ngjet
Me rrëzimin e diellit e shoh dritën e zjarrtë të bjerë
Krejt papritur përtokë,
Si të ishte prerë ylli
Prej qielli me një kadhë!

20.
Po!
Nderimi është për ju!
Të Humburit e Republikës në Bienalen e Venecias!
Marrja e liga na është bërë hije!
Ditën me diell, natën me terr!
Të 64 krushianët e mi janë aty
Pranë ndëshkimit të pashembullt për të mos qenë as të tillë!
Për të qenë thjesht Dhimbje!
Të formësuar vetëm me identitetin e shkronjave
U kanë dhënë fantazmave shekspiriane kuptim!
Pushtuesi serb edhe krimin e kishte bërë sui generis!
Për të mos qenë:
As të gjallë,
As të vdekur!
Ata janë aty vetëm emra!
Pa të drejtë,
Për t’i quajtur të ekzekutuar, të mbytur, të vrarë;
Pa të drejtë
Për të thënë, o Zot, a mund të jenë gjallë?!
Në atë bllok të shënuar prej artistit,
Për ta parë idenë e fatit tonë;
Sa jemi të poshtëruar të gjithë!
Pa përjashtim,
Si është bërë zakon të thuhet në politikë.
Sa është e ligë ndërgjegjja e njerëzimit,
Së është e mjerë ndërgjegjja jonë!

21.
Po!
Jam në Bienale të Venecias me të njohurit e mi!
Tok me mua është edhe mendja e Republikës!
Ai,
Tallej në çdo çast të jetës me vdekjen;
Mos ajo vërtet është fyer?!
Vjen pas numrit 1663 në nivel vendi,
Me emrin Ukë!
I fundit!
Ai,
Filozofisë politike te shqiptarët
I dha kuptim,
Vjen pas numrit 63 në Krushë!
Vjen,
Ai,
U flak në një vend të quajtur Moskund!
Edhe në fshatin e lindjes
I fundit!
Dhe kurrë nuk e njohu
Fjalën pendim!
Ishte sipër kohës gjersa jetoi!
Ky ishte një çmim gjithashtu!
Nuk kishte stacion ku mund të ndalej,
Të pushonte, të buzëqeshte;
Të mahitej me miq si dikur!
Ai
Për të gjallë nuk zbriti në stacionin e Atdheut!
Fuqia e mendimit iu grimcua
Në qelizat e Lirisë së Kosovës,
Dhe ashtu do ta ketë fatin,
Pas 16 majit 1999 në burgun e Dubravës,
Ai,
U ndëshkua për të qenë
As i vdekur, as i gjallë!

22.
Po!
Çfarë t’i them bacës Ukë sot, në Venecia?!
Ta pyes përse ka mbetur i shënjuar në vetëm 10 shkronja?!
Ukshin Hoti!
Ndërkohë më vjen ndërmend
Si e thërriste me shaka e shoqja!
Ishte vërtet «dashnor i Venedikut»
Filozofi i madh shqiptar?!
Mendimin e kishte martuar me atdheun,
Jetën dhe gjithçka që kishte?!
Ndaj tjetër fat kurrë nuk kërkoi,
Ai!
Më keq!
Nuk u pajtua të kishte kurrë një zgjidhje tjetër!

23.
Po!
Çfarë t’i them në Bienale Njeriut që më dhuroi aq shumë kulturë,
Dije, shprehi, të tmerrshme britma pa fund?!
Ta ftoj për shëtitjet e rëndomta të pasmesnatës
Kur shpirti i tij kishte aq peshë të ngarkuar,
Kishte klithje të tmerrshme,
Kishte pafundësisht dhimbtë?!
I braktisur nga qielli e toka ishte
Ai,
Që nuk e respektoi kurrë vetveten
Dhe ky ishte gabimi kapital i tij?!
I braktisur nga familja, nga të gjithë!
Dhe sërish dashuronte
Ai,
Me unazën e mbështjellë me arna,
Si një hajmali të qepur thellë-thellë,
Diku në një qoshe në këmishë?!
Më marrëzisht se të gjithë Veneciasit,
Bashkë me të ftuar,
Vizitorë të çastit, mysafirë!

24.
Dhe prapë e braktisi dashurinë njerëzore,
Siç do të mund të thoshte Pëtefi,
Për dashurinë që kishte ndaj atdheut,
Për republikat shqiptare, për ardhmërinë!
Ishte ky Njeriu që më bëri të kuptoj:
Liria!
Për të gjithë, nuk është tjetër pos,
Mundësi!

25.
Po!
Nga sheshi San Marco mund të pinim një kafe me nxitim!
Për të kujtuar kohën e udhëtimit drejt Perëndimit;
Për të bërë ndër shqiptarë pluralizmin politik,
Për ta bërë gazetarinë e lirisë së mendimit,
Me «Alternativën», me «Demokracinë Autentike»?!
Ah, të freskoheshim nga tubimi prej kur kërkuat
«Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës»!
E tash nuk e di si të të rrëfej, Baca Ukë?!
Për telashet e mëdha që kemi në liri me votën e dyfishtë!?
Më shumë se kaq, më keq!
Çfarë të bëjmë me vetveten e pistë!
Më mirë të t’i kujtoj kohët me kallashnikovë nën shtrat;
Ishim sa e sa herë nën rrethim!
Nusja, fëmijët s’dinin asgjë kur flinin,
Çfarë shtrihej nën shpinë?!

26.
Si të të pyes sërish prej këtu, nga Bienalja e Venecias?!
Si të mos kam frikë nga vdekja,
Kur drejt saj niseshim sa e sa herë!
Unë të pyesja thjesht, si fëmijë?
O Zot, i kujtoj ato çaste edhe sot!
O Zot i madh sa shumë kisha frikë!
Të punoje me ty ishte një privilegj!
E di! Të punoje me ty ishte njëlloj
Si të shoqëroheshe me vdekjen;
Dhe të flije, të haje e të pije më të
Këtë edhe më mirë e di!
Mbi të gjitha dua t’i them me lot:
Baca Ukë, je i humbur!
Unë në liri!
Gjallë jam! Jam jetim!

Venecia, maj, 2017

Tags
Shfaq më shumë

Të tjera nga rubrika

Back to top button
Close
Close