Lajme

Tomë Gashi thotë mos i votoni “njerëzit e luftës”: Ata është dashur të sillen si gjenerali Ante Gotovina

Afro 100 persona janë intervistuar  nga Gjykata Speciale, ndërsa disa janë në listat zgjedhore për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për Dardania.news thotë se normalisht askush nuk do të duhet t’i votojë, ata që janë ftuar si të dyshimtë në Gjykatë Speciale.

Gashi lëshon kritika ndaj politikanëve, gjersa shton se ata që kanë luftuar nuk është dashur të hyjnë fare në politikë.

“Normalisht, askush nuk do të duhej të votojë për ata që janë të ftuar si të dyshimtë në Gjykatën Speciale, pa marrë parasysh se kush është personi në fjalë. Dhe, po të kishin moral politik, askush prej atyre që e gjejnë emrin në raportin e Dick Martit, nuk do të duhej të kandidonte. Sepse, si ka logjikë kjo, që disa prej tyre thonë se do ta mbrojnë luftën e pastër të UÇK-së në Gjykatën Speciale, ndërsa, vetë nuk luajnë pastër. Ata do të duhej të sillen si gjenerali kroat, Ante Gotovina, d.m.th. të dalin nga politika, edhe pse për Kosovën do të ishte më mirë të mos hynin fare në politikë, sepse asgjë të mirë nuk i kanë sjellë vendit tonë, Kosovës, pas 12 qershorit 1999. Ata vetëm e kanë kapur shtetin dhe po e përdorin, apo më mirë të themi po e keqpërdorin për përfitimet e veta, për vjedhje enorme, për të shantazhuar dhe për të përmbytur çdo gjë pozitive për këto 20 vite pas luftës”, shprehet Gashi.

Një pjesë të fajit, avokati Gashi, ia lë popullit duke thënë se ai i voton.

“Posaçërisht, këto 11 vite pas shpalljes së pavarësisë, këta na kanë humbur ardhmërinë. Faji është edhe te populli, që i voton ata të njëjtit, që të rinjve ua kanë shuar ëndrrat për jetë normale. Ata ua kanë vjedhur ardhmërinë, përveç tjerash, dhe si ideal i tyre, është të ikin sa më parë nga ky vend, ku personat si Ante Gotovina në Kroaci që nuk hyri fare në politikë dhe mbahet mend e do të mbahet mend përjetësisht nga populli kroat si hero dhe çlirimtar. Këta tanë, edhe pse e kemi pasur armikun e njëjtë me Ante Gotovinën do të mbahen mend si okupues të ardhmërisë së rinisë kosovare. Na okupuan rininë duke e mbyllur hermetikisht në burgun e quajtur Kosovë për shkak të përfitimeve të tyre”,  pohon Gashi.

Sipas tij, askush nuk ka as 1 për qind siguri se nuk do të akuzohet nga Gjykata Speciale, por përsëri hyn në zgjedhje.

Këta persona, sipas tij, e kanë bërë Kosovën të tkurret.

 “Do të jetë edhe më keq, askush nga ata nuk ka as 1 për qind siguri se nuk do të akuzohet në Hagë në Gjykatë Speciale, pastaj përsëri në zgjedhje çdo 6 muaj dhe për në fund, këta na e bënë Kosovën më të vogël, të tkurret së paku për 8200 hektarë, dhe tani dëshirojnë ta mbrojnë sovranitetin nga kush? Ata që falën territor, luftojnë kinse me ata që deshtën të falin më shumë territor, dhe mendojnë se do të fitojnë prapë duke e gënjyer këtë popull për 20 vite, gjithmonë në mënyra të ndryshme. Dhe, nëse populli këtë herë i voton të njëjtit që i ka votuar për 20 vjet, do të ketë qeverinë e tillë me të njëjtit, dhe pastaj së paku për 4 vite nuk ka të drejtë populli të ankohet, sepse kemi mbetur shtet jo normal, jo funksional dhe jeni vrima e zezë e Evropës. Tani ka ardhur koha për Vetëvendosjen dhe koalicionin e tyre me LDK-në, sepse çdo variant tjetër është vetëvrasje për të gjithë së paku për 4 vite”, përfundon Gashi./Dardania.news

Tags
Shfaq më shumë

Të tjera nga rubrika

Back to top button
Close
Close